Kalo te përmbajtja

Privatësia

Politika e privatësisë

Këtu shkruhet çfarë ruajmë, pse, dhe çfarë sheh dikush tjetër. Është shkruar shkurt sepse edhe vetë platforma mbledh pak.

Përditësuar më 03.09.2026

Shkurt

Mblesa nuk ka foto, nuk ka email dhe nuk ka emra të vërtetë. Identiteti yt këtu është një nickname. Numri i telefonit nuk shfaqet askund — as te përdoruesit e tjerë, as te administratorët — dhe asgjë financiare nuk duket derisa ta zgjedhësh ti, për një person të caktuar.

Çfarë ruajmë

Nickname-in dhe fjalëkalimin. Fjalëkalimi ruhet i shpërbërë, jo si tekst.

Numrin e telefonit, në dy forma. Një gjurmë të pakthyeshme, që shërben vetëm për të mos lejuar dy llogari me të njëjtin numër; dhe një kopje të fshehtëzuar, që përdoret vetëm kur duhet dërguar një SMS ose kur ti vendos ta ndash me dikë. Askund në faqe numri nuk shfaqet i plotë — vetëm i maskuar, si +355 69 ··· 5678.

Kartelën dhe njoftimin. Ato që plotëson vetë: mosha, qyteti, arsimi, feja nëse do, dhe teksti i njoftimit. Pothuajse çdo fushë është opsionale. Fushat e gjendjes ekonomike kanë secila një zgjedhje më vete: t'i mbash të fshehura apo t'i shfaqësh në njoftim.

Kërkesat e kontaktit. Mesazhin e vetëm hyrës dhe përgjigjen. Nuk ka bisedë në platformë: pas pranimit, komunikimi vazhdon jashtë saj.

Raportimet dhe bllokimet. Kur raporton dikë, ruajmë edhe një gjurmë të pakthyeshme të adresës nga e cila u dërgua raportimi, që të dallohen raportime të përsëritura nga i njëjti burim.

Çfarë sheh dikush tjetër

Vizitorët pa llogari shohin një pjesë të njoftimeve, dhe nickname-in vetëm të maskuar — kjo vlen edhe për Google. Kush ka hyrë i sheh të gjitha njoftimet dhe nickname-in e plotë, sepse anëtarët duhet të mund të thërrasin njëri-tjetrin. Emri yt i vërtetë nuk kërkohet askund, prandaj nickname-i është e vetmja gjë që dikush mëson.

Gjendja ekonomike është e fshehur si parazgjedhje. Ajo hapet vetëm përmes një kërkese kontakti të pranuar, vetëm ndaj atij personi, dhe vetëm nëse e ke shënuar vetë. Është leje për një marrëdhënie të vetme, jo cilësim i profilit — mund të ndryshojë për një person pa prekur asnjë tjetër.

E njëjta gjë vlen për numrin dhe për llogaritë e tjera të kontaktit: asgjë nuk kalon te tjetri pa e shënuar ti.

Kujt ia jepim

Askujt për reklama, dhe askujt për shitje. Nuk ka gjurmues reklamash dhe nuk ka statistika të palëve të treta.

Twilio është shërbimi që dërgon SMS-të. Për ta bërë këtë, ai merr numrin tënd dhe mesazhin me kodin. Kjo ndodh vetëm kur kërkohet një kod verifikimi ose rikthimi fjalëkalimi.

Google Fonts shërben shkronjat e faqes. Si çdo burim i jashtëm, ai sheh adresën IP nga e cila hapet faqja.

Cookies

Vetëm sa duhet që faqja të punojë: një cookie që të mban brenda pasi hyn, një që mbron formularët nga dërgimi i falsifikuar, një e përkohshme prej pak sekondash që mban mesazhin «u ruajt» ndërsa faqja rifreskohet, dhe një tjetër e shkurtër që mban njoftimet e llogarisë gjatë kalimit nga një faqe te tjetra.

Nëse ndez verifikimin në dy hapa, shtohen edhe dy: një që të mban gjysmë të futur derisa shkruan kodin, dhe — vetëm nëse e kërkon ti — një që e mban këtë pajisje të njohur për njëfarë kohe.

Asnjë prej tyre nuk të ndjek nëpër faqe të tjera.

Sa gjatë

Derisa ta mbyllësh llogarinë. Kodet e verifikimit janë jetëshkurtra dhe fshihen vetvetiu.

Të drejtat e tua

Merr të dhënat. Te Të dhënat e mia shkarkon gjithçka që kemi për ty.

Mbyll llogarinë. Nga i njëjti vend. Kur e mbyll: kartela, njoftimi, bllokimet dhe kodet fshihen; nickname-i zëvendësohet; numri hiqet nga llogaria; dhe gjithçka që kishe ndarë me dikë pushon së dukuri menjëherë.

Çfarë mbetet, dhe pse. Raportimet që të kanë bërë të tjerët dhe masat e marra nga moderimi nuk fshihen bashkë me llogarinë: përndryshe mjaftonte të mbyllje llogarinë për t'i fshirë gjurmët dhe për të nisur nga e para. Po ashtu, nëse një numër është përjashtuar nga platforma për ngacmim, ai përjashtim mbijeton mbylljen e llogarisë — ndryshe nuk do të ishte përjashtim.

Numri nuk ndryshohet

Një numër i takon një llogarie të vetme, përgjithmonë. Nëse ndërron numër, hap një llogari të re. Dhe ruaje numrin: fjalëkalimi rikthehet vetëm me SMS në të, sepse llogaria nuk ka email.

Ndryshimet

Nëse kjo faqe ndryshon në diçka që ka rëndësi, data lart ndryshon bashkë me të.

Shih edhe Kushtet e përdorimit.

Ndodhi një gabim i papritur. Rifresko 🗙